27/03/2025

Sot, Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, morën pjesë në hapjen solemne të elektrocentralit fotovoltaik më të madh në Ballkan të kompanisë “Mеy Energy” në Novaci, me kapacitet prodhimi të energjisë elektrike prej 55MW.

Me këtë rast, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka theksuar se Qeveria mbështet fuqishëm investimet që rrisin prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. Projekti është i rëndësishëm për vendin dhe rajonin në kohë të krizës energjetike globale.

“Përgëzova mikun tim, afaristin Shefket Demiri dhe bashkëpunëtorët e tij për realizimin e këtij projekti që është i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin dhe rajonin në kohë të krizës globale energjetike. Qeveria qëndron në mbështetje të fuqishme të çdo investimi që rrit kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike përmes burimeve të rinovueshme të energjisë, gjë që është reaksion i domosdoshëm për mbrojtjen e ambientit dhe zmadhimin e potencialit prodhues vendor të energjisë elektrike”, thekson zëvendëskryeministri Grubi.