14/04/2024

A i humbët shqiptarët dhe tani po i kompensoni me të tjerët? Ka qenë pyetja e radhës, në rrjete sociale, të cilës iu ka përgjigjur kandidati shqiptar për president, Bujar Osmani. Ministri Osmani e quan ditë historike dhe jashtëzakonisht të rëndësishme zgjerimin e Frontit Europian me komunitetet tjera, jo shqiptare.

“Deri më tani kemi pasur 2 blloqe të mëdha maqedonase, që kërkonin të udhëheqin shtetin, kurse shqiptarët garonin për partnerë të koalicionit për t’u bërë në Qeveri. E kishim VMRO-DPNE-në me 10 parti politike, të komuniteteve të ndryshme, duke pretenduar që ata përfaqësojnë të gjithë qytetarët dhe kërkonin mandat për të udhëhequr shtetin. Ishte blloku i LSDM-së me 10 parti politike të komuniteteve të ndryshme, dhe gjithashtu pretendonin për mandat. Shqiptarët garonin në ligë tjetër.
Për herë të parë, ne kemi bllokun e tretë, të BDI-së me 10 parti politike të komuniteteve të ndryshme në frontin e madh europian, që pretendon për mandat për të udhëhequr shtetin. Që do të thotë se, tani keni 3 blloqe të mëdha që kërkojnë të udhëheqin shtetin”, tha Osmani.

Sipas Osmani, komunitetet do të përfitojnë maksimalisht nga Marrëveshja e Ohrit, vetëm nëse janë bashkë me implementuesit e MO-së, me partitë politike shqiptare. “Sot keni në bllokun e tretë, shqiptarët e bashkuar bashkë me komunitetet tjera, në bllokun e tretë të madh i cili në këto zgjedhje nga qytetarët do të kërkon që t’u merret mandat i plotë, për të udhëhequr shtetin në emër të MO-së”, përfundoi Osmani.